Shkencëtarët nga Kanadaja dhe Kina kanë bërë një hap të madh në mjekësi, duke krijuar një “veshkë universale” që teorikisht mund të pranohet nga çdo pacient, pavarësisht grupit të gjakut. Ky organ eksperimental funksionoi për disa ditë në trupin e një marrësi në gjendje vdekjeje cerebrale, me pëlqimin e familjes, sipas studimit të publikuar në revistën Nature Biomedical Engineering.
Metoda e re bazohet në përdorimin e enzimave që heqin antigjenet e grupit të gjakut nga veshka, duke e shndërruar atë në një organ “neutral” të tipit O, të përshtatshëm për transplantim te pacientë të ndryshëm. Studiuesit e përshkruan këtë proces si një heqje të “bojës” që e bën organin të panjohur për sistemin imunitar. Megjithatë, në ditën e tretë u vërejtën shenja të rikthimit të antigjenit A, duke treguar se metoda ende ka nevojë për përmirësime para se të aplikohet te njerëzit e gjallë.

Ky zhvillim mund të ndihmojë në zvogëlimin e listave të pritjes për transplant veshke, veçanërisht për pacientët me grup gjaku O, duke rritur mundësitë për të shpëtuar jetë dhe për të përshpejtuar trajtimin. Studiuesit shprehen se ky rezultat tregon ndikimin e drejtpërdrejtë që kërkimi shkencor mund të ketë në kujdesin për pacientët dhe mund të hapë rrugën për zhvillime të mëtejshme në transplantologji. /Gjurmuesi/









