Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka dorëzuar kërkesë zyrtare për rritjen e tarifave të shërbimeve të ujësjellësit në nivel prej 100 për qind, duke arsyetuar këtë hap me rritjen e ndjeshme të shpenzimeve operative.
Nga kjo ndërmarrje bëhet e ditur se një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen e kostove është energjia elektrike, e cila aktualisht përbën mbi 20 për qind më shumë të shpenzimeve totale krahasuar me periudhat e mëparshme.
“Kompania ka paraqitur zyrtarisht kërkesë për rritjen e tarifave në nivel prej 100%, si pasojë e rritjes së ndjeshme të kostove operative. Vetëm kostoja e energjisë elektrike aktualisht ndikon rreth 20% më tepër në totalin e shpenzimeve krahasuar me periudhat e mëparshme. Përveç energjisë, janë rritur ndjeshëm edhe shpenzimet për klor dhe kimikate të dezinfektimit, mirëmbajtjen e teknologjisë dhe mjeteve të punës, makineritë dhe riparimet teknike, si dhe pjesët fazonike dhe materialet e rrjetit”, ka thënë kjo ndërmarrje.
Po ashtu, KRU “Gjakova” thekson se vënia në funksion e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura ka sjellë shpenzime të reja operative, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në pasqyrat financiare të dy viteve të fundit, pasi impianti ka nisur punën rishtazi.
Sipas kompanisë, me tarifat aktuale ekziston rrezik serioz për qëndrueshmërinë financiare, ndërsa nëse situata vazhdon e njëjtë, ndërmarrja mund të mbetet barrë financiare për ministrinë përkatëse dhe të varet nga subvencionet shtetërore.
“Për këtë arsye, kërkesa për rritjen e tarifave është e domosdoshme dhe e arsyetuar”, thuhet në përgjigjen e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.
Gjatë ditës është raportuar se edhe shtatë kompanitë e tjera rajonale të ujësjellësit kanë paraqitur kërkesa për rritje të çmimeve pranë Autoritetit Rregullator të Shërbimeve të Ujit.
Autoriteti përkatës është kontaktuar për këtë çështje, ndërsa ende pritet një përgjigje zyrtare lidhur me kërkesat e paraqitura. /Gjurmuesi/







