Gjimnazi “Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të mungesës së ngrohjes gjatë dy javëve të fundit, duke e bërë mjedisin e klasave të papërshtatshëm për zhvillimin e procesit mësimor.
Ankesat për situatën u bënë publike gjatë emisionit “Fol me Arin”, ku nxënësit dhe stafi raportuan se temperaturat e ulëta po pengojnë normalitetin në mësim.
Drejtori i gjimnazit, Amir Pllana, konfirmoi se situata është reale dhe shpjegoi se problemet burojnë nga mungesa e kontratës me kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtjen e ngrohjes. Ai theksoi se disa pajisje, përfshirë pompat që përcjellin ujin, janë dërguar në servisim nga stafi shkollor, dhe pritet që sistemi i ngrohjes të rivendoset brenda ditëve në vijim. /Gjurmuesi/







