Xhudistja e Kosovës, Distria Krasniqi, ka shkëlqyer në Grand Slamin e Abu Dabit, duke fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 52 kilogramë. Kjo arritje e saj erdhi pikërisht në 28 nëntor, në Ditën e Flamurit, duke bërë krenar Kosovën dhe gjithë shqiptarët.
Në ndeshjen për medaljen e bronztë, Krasniqi mposhti holandezen Naomi Van Krevel përmes repesazhit, duke siguruar kështu një tjetër sukses të madh në karrierën e saj.
Pejania filloi mirë garat, duke mposhtur në xhiron e dytë rusen Katrina Efimova dhe duke kaluar në çerekfinale pas fitores ndaj izraelites Gefen Primo me ‘waza-ari’. Në gjysmëfinale, kampionia olimpike u ndal nga hungarezja Reka Pupp. Pas një ‘golden score’ dhe një anulimi të një ‘waza-ari’, pika iu dha kundërshtares që kaloi në finale, duke i mohuar Distrisë mundësinë për të garuar në finale.
Përveç Krasniqit, Kosova përfaqësohet në këtë Grand Slam edhe nga Laura Fazliu (-63kg), e cila garon të shtunën, dhe Shpati Zekaj (-100kg), që do të garojë të dielën. /Gjurmuesi/








