Dhuna në shkolla vazhdon të mbetet një problem serioz, ndërsa raportimi i rasteve nga institucionet arsimore rezulton dukshëm më i ulët krahasuar me të dhënat e Policisë së Kosovës. Kjo u theksua në konferencën e fundvitit të Avokatit të Popullit, ku u prezantua raporti vjetor për të drejtat e njeriut.
Sipas të dhënave të publikuara, brenda periudhës 2014–2024, institucionet arsimore kanë raportuar vetëm 272 raste të dhunës në shkolla. Ndërkohë, për të njëjtën periudhë, Policia e Kosovës ka trajtuar mbi 5 mijë raste të tilla.
Drejtuesi i institucionit të Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, ka theksuar se kjo mospërputhje përbën një nga problematikat kryesore vjetore në fushën e të drejtave të fëmijëve.
“Sipas të dhënave nga MASHTI nga 2014 deri më 2024, pra për 10 vjet shkollat kanë raportuar 272 raste të dhunës në shkolla. Ndërsa të dhënat nga policia në periudhën e njëjtë janë 5652 dhe një shpërputhje kaq e madhe e statistikave tregon seriozitetin e situatës dhe në mënyrë urgjente ndërhyrjen e institucioneve për të raportuar fillimisht rastet, pastaj gjetja e shkaktarëve dhe marrja e masave”, ka thënë ai.
Përveç dhunës, Avokati i Popullit ka ngritur shqetësime edhe për çështje të tjera që prekin mirëqenien e nxënësve, përfshirë peshën e madhe të çantave shkollore dhe mungesën e mekanizmave për shëndetin mendor.
“Aktualisht pesha e çantave shkakton probleme shëndetësore për fëmijët dhe evitimi i kësaj problematike vjen me ndërtimin e dollapëve në shkolla ose me reduktimin e teksteve shkollore e lehtësimin e çantave. Përndryshe ky është një problem që familjet përballen në vazhdimësi”, tha ai.
Në fund, Qelaj foli edhe për sfidat më të gjera që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontekst global, duke theksuar se këto të drejta po mbeten gjithnjë e më shpesh jashtë vëmendjes institucionale.
“Interesimi po zhvendoset nga të drejtat e njeriut te krizat e sigurisë që po ndodhin sot në botë. Kështu që në çdo situatë jo të zakontë po goditen të drejtat e njeriut e po pësojnë qytetarët. Në mungesë të vendosjes së prioritetit të të drejtave të njeriut ato po mbesin anash dhe po bëhen zinxhir deri te niveli më i ulët i administratës që të mos i marrin parasysh”, ka thënë ai.







