Një raport i ri i publikuar nga Democracy Plus dhe Westminster Foundation for Democracy zbulon se kandidatët fitues për deputet në zgjedhjet nacionale të vitit 2025 shpenzojnë mesatarisht 12,150 euro gjatë fushatave të tyre.
Studimi “Kostoja e politikës në Kosovë” shqyrton shpenzimet e kandidatëve dhe ndikimin e tyre në konkurrencën politike, barazinë e mundësive dhe integritetin e procesit zgjedhor. Sipas raportit, një kandidat mesatar shpenzon rreth 9,463 euro, ndërsa ata që nuk arrijnë të fitojnë shpenzojnë vetëm 4,090 euro. Gratë kandidate shpenzojnë dukshëm më shumë se burrat, me mesatare rreth 15,000 euro krahasuar me 6,000 euro të kandidatëve meshkuj.
Graeme Ramshaw, drejtor për Cilësi dhe Inovacion në WFD, theksoi se raporti i kushton vëmendje veçanërisht grave dhe rinisë. “Për t’u bërë deputet është sfidë jo vetëm pozita, por edhe shpenzimet e nevojshme. Fushatat po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta, kandidatët varen nga financimi personal, ndërsa gratë shpesh marrin hua nga familjarët”, u shpreh ai.
Albert Krasniqi nga Democracy Plus prezantoi metodologjinë e studimit, i cili bazohet në intervista me kandidatët dhe fokus-grupe me politikanë, gazetarë dhe ekspertë të shoqërisë civile. Raporti evidenton se rekrutimi partiak varet nga popullariteti, mbështetja financiare dhe afërsia me liderët. Analiza e LVV, PDK dhe LDK-së identifikon kritere si përfaqësimi gjeografik, profili profesional dhe lidhjet me komunitetin, ndërsa gjasat për fitore rriten dukshëm për kandidatët që shpenzojnë mbi 8,000 euro. /Gjurmuesi/







