Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar qeverinë në detyrë për situatën e krijuar me ndërprerjen e transportit publik në kryeqytet, duke e konsideruar këtë një bllokim dhe pengim të punës së institucionit lokal.
Abdixhiku ka reaguar pas komenteve të Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili e akuzoi atë dhe deputetët e tjerë se nuk e kanë votuar buxhetin për Prishtinën në Kuvend, duke i lënë qytetarët pa shërbime vetëm për të ngarkuar fajin tek Qeveria.
Në reagimin e tij, Abdixhiku ka përdorur fjalë të forta ndaj pushtetarëve, duke i akuzuar për “plaçkitje” dhe duke thënë se shkatërrimi i vendit është misioni i tyre.
“Mund të bllokoni. Mund dhe të pengoni; sepse vetëm kaq dini, vetëm kaq mundeni. Por propaganda nuk e mund të vërtetën dot. Për 12 muaj të tërë, sikurse nën pushtim, e mbajtët Kryeqytetin pa buxhet. Na u desh të shpenzojmë energji e kohë që të mirëmbajmë Prishtinën me mund, të plaçkitur nga një sekt populist që shkatërrimin e vendit e ka mision. Teksa shpërndanin vitra për votë; pa ligj e pa legjitimitet, për Prishtinë, Kryeqytetin e vendit të vet, në llumin e madh të burokracisë vazhduan ta mbajnë për plot një vjet”, ka shkruar ai. /Gjurmuesi/









