Pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që aprovoi ankesën e Listës Serbe ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka bërë thirrje që deputetët e zgjedhur të mund të marrin detyrën dhe të shërbejnë qytetarët që i kanë votuar.
Në një postim në Facebook, Ambasada britanike theksoi rëndësinë e respektimit të vendimeve të institucioneve demokratike dhe mbështetjen e integritetit të procesit zgjedhor. “Ne presim që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime të jenë në gjendje të marrin detyrën dhe t’u shërbejnë qytetarëve që i kanë zgjedhur. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë proceset zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë. Ne i inkurajojmë të gjitha institucionet dhe aktorët politikë të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të mbështesin integritetin e kornizës zgjedhore”, thuhet në reagim.
Vendimi i PZAP-së erdhi pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 31 janar shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive përveç Listës Serbe – partisë kryesore të komunitetit serb në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit. Tre anëtarë të KQZ-së votuan për miratimin e listës, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe të tjerët abstenuan.
Vendimi i KQZ-së kishte shkaktuar reagime kritike nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa PZAP-ja vlerësoi që ankesa e Listës Serbe ishte e bazuar dhe se qëndrimi i Komisionit nuk ishte i drejtë.







