Njëra nga njësitë prodhuese të energjisë elektrike në termocentralin “Kosova A” aktualisht nuk është në funksion.
Bëhet fjalë për njësinë A3, e cila ka dalë jashtë operimit, ndërsa deri më tani nuk dihen arsyet që kanë çuar në ndaljen e saj.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi Korporata Energjetike e Kosovës kishte njoftuar se po operonte njëkohësisht me pesë njësi prodhuese të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit të mëhershëm të KEK-ut, prodhimi i energjisë po realizohej me kapacitete maksimale operative, në përputhje të plotë me parametrat teknikë dhe kapacitetet reale të njësive ekzistuese, duke arritur një prodhim bruto ditor prej mbi 20 mijë MWh.







