Bashkimi Evropian ka nisur të heqë gradualisht disa nga masat e vendosura ndaj Kosovës, duke liruar mjetet për katër projekte pas vlerësimit të transferimit të duhur të pushtetit lokal në veri pas zgjedhjeve të tetorit. Sipas zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, bëhet fjalë për projekte me vlerë totale prej 34.6 milionë eurosh.
Në një letër të drejtorit të përgjithshëm për zgjerim të BE-së, Gert Jan Koopman, thuhet se Komisioni ka vendosur të heqë disa nga masat që lidhen me programin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare. Ndërsa korrespondenti në Bruksel, Augustin Palokaj, ka shpjeguar se heqja e masave do të bëhet në mënyrë graduale dhe paralajmëroi se paralajmërimi për heqjen e 50 për qind të masave do të vijë në vazhdim.
Palokaj ka raportuar gjithashtu se disa burime në Bruksel kanë treguar se mjetet janë liruar pasi mund të humbnin shpejt për shkak të skadimit të afatit për përdorim. Komisioni ka kërkuar që Kosova t’i paraqesë projektet edhe për përdorimin e fondeve të IPA-s për periudhën 2026-2027, të miratohen nga Komisioni Evropian dhe të mbështeten nga vendet anëtare.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka theksuar se Qeveria ka insistuar vazhdimisht për heqjen e masave dhe se hapi i ardhshëm duhet të jetë heqja e plotë, duke argumentuar se nuk ka më arsye për mbajtjen e tyre pas transferimit ligjor dhe të qetë të pushtetit në katër komunat në veri.
Ministrat e vendeve anëtare të BE-së diskutuan të martën në Bruksel procesin e zgjerimit dhe miratuan konkluzione për këtë çështje. Drafti i konkluzioneve përshëndet heqjen e masave të mbetura ndaj Kosovës, duke shënuar një formulim më pozitiv se herët e mëparshme, megjithatë nuk sqaron plotësisht se kur dhe si do të realizohet heqja e të gjitha masave. /Gjurmuesi/







