Bashkimi Evropian ka vendosur një gjobë prej 120 milionë eurosh ndaj platformës X, më parë e njohur si Twitter, për shkelje të ligjit europian mbi shërbimet digjitale (DSA). Ky vendim ka shkaktuar reagime të forta në Shtetet e Bashkuara, ku Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, e ka cilësuar këtë si një “sulm ndaj të gjitha platformave teknologjike amerikane dhe ndaj popullit amerikan nga qeveri të huaja”.
Përveç aspektit financiar, situata pasqyron një përplasje më të gjerë mes SHBA-së dhe BE-së, ku disa analistë e shohin si një sfidë ekzistenciale për marrëdhëniet transatlantike. Për Elon Musk, gjoba nuk përbën rrezik krahasuar me pasurinë e tij, por reagimi politik ka impakt të gjerë. Ngjarjet kanë ndodhur paralelisht me publikimin e strategjisë amerikane që synon të reduktojë ndikimin e BE-së dhe të NATO-s, duke ndezur alarmin në Bruksel. Raportet e brendshme sugjerojnë se SHBA synon të dobësojë Unionin Europian, një skenar që shqetëson veçanërisht selinë e NATO-s dhe institucionet europiane në një periudhë tensioni mbi Ukrainën.
Komisioni Europian argumenton se X ka shkelur detyrimet e transparencës sipas ligjit DSA, përfshirë përdorimin mashtrues të shenjës blu për “account-et e verifikuara”, mungesën e qasjes në arkivat e reklamave dhe refuzimin për të ofruar të dhëna për studiuesit. Sipas Komisionit, përdorimi i shenjës blu mund të mashtrojë përdoruesit, pasi çdo individ mund të paguajë për të marrë këtë status. Arkivat e reklamave mungojnë nga transparenca, duke vështirësuar studimin e mashtrimeve dhe reklamave false.
Procedimi kundër X kishte nisur dy vjet më parë, por ishte pezulluar për të shmangur tensionet me Uashingtonin. Gjobat nuk mund të tejkalojnë 6% të të ardhurave vjetore të kompanisë, dhe X ka tani tre muaj kohë për t’u përgjigjur, ndërsa Brukseli ka dy muaj për kundërpërgjigje. Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Henna Virkkunen, tha se “X është përgjegjës për cenimin e të drejtave të përdoruesve dhe shmangien e përgjegjësisë”. Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se “BE duhet të mbrojë lirinë e fjalës, jo të sulmojë kompanitë amerikane për gjëra të parëndësishme”.
Ngjarja pasqyron tensionet e mëdha transatlantike. Dokumenti strategjik amerikan shihet si përpjekje për të ndryshuar marrëdhëniet SHBA-BE, për të ndarë Unionin Europian dhe për të reduktuar ndikimin e NATO-s, një shqetësim ky që prek edhe përdorimin e pasurive ruse të ngrira. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, theksoi se çështjet e lirisë së shprehjes dhe organizimit të shoqërisë nuk mund të diskutohen nga Uashingtoni. Presidenti francez paralajmëroi se kjo mund të shihet si “tradhti” amerikane ndaj Ukrainës dhe Europës, duke rrezikuar raportet politike, ushtarake dhe tregtare, ndërkohë që tensionet mbi tarifat doganore mund të jenë pjesë e strategjisë amerikane. /Gjurmuesi/








