Një sasi e konsiderueshme e një produkti ushqimor nuk është lejuar të hyjë në tregun e Kosovës, pasi gjatë kontrollit është konstatuar se nuk i plotësonte kushtet ligjore për siguri ushqimore. Autoritetet përkatëse kanë ndërmarrë menjëherë masat për ndalimin e importit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka refuzuar importin e 21,280 kilogramëve koncentrat pije (lëng portokalli – 65 përzierje aseptike konvencionale).
Në një komunikatë për media, AUV ka bërë të ditur se pas kontrollit të dokumentacionit dhe inspektimit fizik të mallit nga Inspektorati Fito Sanitar, është konstatuar se koncentrati kishte afat të skaduar, çka ka çuar në ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë.
“Ky vendim është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore, i cili përcakton se produktet me afat të skaduar paraqesin rrezikshmëri të lartë për konsumatorët, dhe si të tillë, ato nuk lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.







