Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar për konfirmimin e rastit të sëmundjes së tërbimit te kafshët shtëpiake në një fermë familjare në rajonin Maramuresh, Rumani, sipas raportimeve të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian, datë 09.02.2026.
Si masë parandaluese, AUV ka vendosur ndalimin e menjëhershëm të importit të kafshëve të gjalla – përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat – si dhe produkteve të tyre, që vijnë nga zona e infektuar.
“Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë, AUV-i ka marrë vendim për ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat, si dhe produkteve të tyre, me origjinë nga zona e infektuar në shtetin e Rumanisë. Kjo masë hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftim.
Agjencia thekson se do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe do të informojë rregullisht publikun dhe operatorët ekonomikë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë çështje.
“AUV-i mbetet i përkushtuar për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje dhe mbrojtjes së shëndetit publik dhe atij veterinar”, përfundon njoftimi.







