Një sasi e konsiderueshme e formulës për ushqim të fëmijëve është tërhequr nga tregu i Kosovës, pas dyshimeve për përmbajtje të një substance të rrezikshme.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka bllokuar gjithsej 462 copë të formulës për ushqim të fëmijëve me origjinë nga Holanda, të cilat kishin hyrë në shitje në marketet “Rossman Kosova”, përmes kompanisë përkatëse në Shqipëri.
Sipas AUV-së, masa është ndërmarrë për shkak të pranisë së substancës “Cereulide” në këto produkte ushqimore për fëmijë.
Në njoftimin dërguar mediave, AUV bën të ditur se vendimi është marrë pas informacionit të pranuar nga Republika e Shqipërisë, konkretisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ky institucion ishte informuar përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF) lidhur me praninë e kësaj substance në formulën e ushqimit për fëmijë me origjinë nga Holanda.
Sipas AUV-së, “është konstatuar se subjekti ‘Rossmann & LALA SH.P.K.’ në Shqipëri ka eksportuar 462 copë të këtij produkti në Republikën e Kosovës për kompaninë ‘Rossmann Kosova’”.
Agjencia ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është realizuar bllokimi i menjëhershëm i produktit dhe se së shpejti do të nisë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, AUV ka theksuar se, pavarësisht mungesës së inspektorëve, institucioni mbetet i përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të gjithë zinxhirit ushqimor, me qëllim që konsumatorëve në Kosovë t’u ofrohet ushqim i sigurt dhe i shëndetshëm.
Në njoftim nuk është bërë e ditur se për cilin produkt specifikisht bëhet fjalë.







