Administrata Tatimore e Kosovës ka apeluar sërish tek individët dhe subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike pa u regjistruar, që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për formalizimin e aktivitetit të tyre përmes Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.
Nga ATK bëhet e ditur se gjatë kontrolleve në terren, çdo aktivitet i paregjistruar që identifikohet do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi, pa përjashtim. Këto masa përfshijnë regjistrimin e detyrueshëm të veprimtarisë, pajisjen me Numër Fiskal, si dhe shqiptimin e gjobave dhe sanksioneve ligjore të parapara.
Sipas ATK-së, regjistrimi në mënyrë vullnetare u mundëson tatimpaguesve të shmangin penalitetet dhe kontribuon në krijimin e kushteve të barabarta dhe konkurrencë të ndershme në treg.
“Po ashtu, ATK kërkon nga të gjithë tatimpaguesit e regjistruar që të verifikojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre në sistemin tatimor, pasi mospërditësimi i informatave përbën shkelje ligjore”, thuhet në njoftim.
Administrata Tatimore e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për të luftuar ekonominë joformale dhe për të ndërtuar një sistem tatimor të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë tatimpaguesit.









