Akademiku dhe ish-ministri Arsim Bajrami ka bërë publike synimin e tij për të garuar për postin e presidentit të Kosovës. Përmes një reagimi publik, ai u ka bërë thirrje liderëve politikë për unitet në zgjedhjen e kreut të shtetit, duke theksuar nevojën për stabilitet institucional.
Arsim Bajrami ka njoftuar përmes një statusi në Facebook se shpreh gatishmërinë për të qenë një nga kandidatët konsensualë për president.
Ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka theksuar se në këtë moment të rëndësishëm për stabilitetin institucional dhe funksionimin kushtetues të Republikës së Kosovës kërkohet unitet politik për zgjedhjen e Presidentit, me qëllim shmangien e krizave të panevojshme institucionale, rrezikut të shpërndarjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Duke përmbledhur përvojën e tij në institucionet e vendit, Bajrami ka deklaruar se i plotëson kushtet për të qenë një nga kandidatët për president konsensual.
“Shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si njëri prej kandidatëve konsensual për President të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Bajrami, i cili ka shërbyer si ministër i Administratës Publike në periudhën 2011-2014 dhe ministër i Arsimit në periudhën 2014-2017.
Ai ka komentuar edhe deklarimin e Murat Jashari, i cili të mërkurën bëri të ditur se nuk ka interesim dhe as qëllim për t’u bërë president.
“Njëkohësisht, vlerësoj lartë qëndrimin dinjitoz, parimor dhe shtetformues të kolegut dhe mikut tim të fakultetit, Prof.dr.Murat Jashari dhe të familjes Jashari, të cilët, në frymën e përgjegjësisë kombëtare dhe respektit për sakrificën historike të familjes heroike dëshmuan edhe njëherë vigjilencen e lartë kombëtare”, ka deklaruar ai.
Bajrami ka shtuar se shpreh gatishmërinë për angazhim të vazhdueshëm institucional, akademik dhe publik në mbrojtje të karakterit çlirimtar dhe të drejtë të luftës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si dhe kundër çdo përpjekjeje për demonizimin e saj apo për rishikimin selektiv e diskriminues të historisë nga Dhomat e Specializuara, në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë dhe të së vërtetës historike.







