Policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë lidhur me plagosjen e një 21-vjeçari në Kaçanik, ngjarje e cila ndodhi mbrëmjen e së hënës. Rasti ka vazhduar të hetohet edhe gjatë ditës së sotme, duke çuar në ndalimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në incident.
Sipas autoriteteve, përveç një të mituri 17-vjeçar që ishte arrestuar fillimisht, gjatë ditës së sotme janë ndaluar edhe një 24-vjeçar dhe një tjetër i mitur.
“Të dyshuarit janë: H.K. (24 vjeç) dhe E.K. (17 vjeç). Pas intervistimit nga policia, me aktvendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari H.K. është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërkaq, i dyshuari i mitur E.K. është dërguar në mbajtje për 24 orë. Ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprat penale: “Lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje”, “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Kanosja””, thuhet në njoftim.
Ndryshe, i lënduari pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, është jashtë rrezikut për jetën.







