Apple duket se po punon prej kohësh në një MacBook me kosto më të ulët, i cili nuk do të ketë fuqinë e modeleve MacBook Air dhe MacBook Pro, por pritet të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në dizajn.
Sipas Mark Gurman, MacBook i ri do të vijë me ngjyra më të gjalla dhe të këndshme, duke u larguar nga opsionet tradicionale të zbehta dhe profesionale. Ky ndryshim synon të tërheqë një pjesë më të madhe të tregut, veçanërisht studentët, duke e bërë laptopin më tërheqës dhe më të lehtë për shitje. Apple ka testuar ngjyra të ndryshme, përfshirë hirtë, argjendtë, gjelbër të hapur, kaltër, rozë dhe të verdhë, por nuk dihet saktësisht se cilat do të jenë të disponueshme.
Sipas raportimeve paraprake, çmimi i këtij MacBook-u pritet të jetë nën 1,000 dollarë, me disa parashikime që e vendosin në rreth 500-600 dollarë. Për ta arritur këtë nivel çmimi, kompania pritet të përdorë një çip të serisë A, i zakonshëm për iPhone, në vend të çipave M që gjenden te modelet e tjera MacBook.
Ekrani i MacBook-ut të ri gjithashtu do të jetë pak më i vogël se ai i MacBook Air dhe MacBook Pro, duke e bërë pajisjen më kompakte dhe të përshtatshme për përdoruesit që kërkojnë një laptop ekonomik dhe praktik.








