Bizneset në Kosovë po përballen me kosto dhe vonesa të konsiderueshme për çdo transfer bankar deri në 10,000 euro që bëhet jashtë vendit ose pranohet nga jashtë. Një shembull konkret është kompania kosovare e pijeve “Frutex”, e cila për çdo transaksion të tillë paguan të paktën 100 euro.
Pronari i kompanisë, Shaqir Palushi, shpjegon se kjo shumë zakonisht ndahet mes kompanisë dhe palës dërguese, me nga 50 euro për secilën palë. Megjithatë, ai thekson se sfida kryesore nuk është vetëm financiare, por edhe kohore, pasi mbërritja e mjeteve mund të zgjasë deri në pesë ditë pune, duke vështirësuar aktivitetin e kompanive që importojnë dhe eksportojnë mallra.
Arsyeja e këtyre vështirësive lidhet me faktin se Kosova nuk është pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Ky sistem i Bashkimit Evropian lejon individët dhe bizneset të kryejnë pagesa në euro në mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe me tarifa të barabarta në vendet pjesëmarrëse. Aktualisht, SEPA përfshin 41 vende, duke përfshirë të gjitha vendet e BE-së, Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, si dhe Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Kjo situatë rrit kostot operative për kompanitë kosovare dhe vonon qarkullimin e mjeteve financiare në tregun ndërkombëtar. /Gjurmuesi/









