Të shtunën, më 11 tetor, do të zhvillohet superndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, që pritet të mbajë vëmendjen e opinionit sportiv në rajon.
Takimi do të luhet në stadiumin “Duboçiqa” të Leskovcit, ndërsa masat e sigurisë janë ngritur në nivel të lartë për shkak të ndjeshmërisë së ndeshjes.

Autoritetet serbe janë vënë në alarm për çdo mundësi incidenti, pasi pasojat mund të jenë të rënda për kombëtaren e tyre, përfshirë edhe përjashtimin nga garat ndërkombëtare.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë, Dragan Gjajiq, ka theksuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për të shmangur tensionet.
“Do të ishte një katastrofë nëse do të ndodhte përsëri. Mendoj se do të përjashtoheshim nga futbolli evropian për një periudhë të gjatë kohore. Pikërisht për këtë arsye zgjodhëm Leskovcin dhe zvogëluam kapacitetin e stadiumit. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme për ne,” – u shpreh Gjajiq.








