Pas një alarmi për praninë e një mjeti shpërthyes në një shkollë në fshatin Bresje të Fushë Kosovës, njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sigurie. Pas kontrollit të detajuar nga ekipet e specializuara për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, është konfirmuar se nuk është gjetur asnjë objekt i dyshimtë.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se situata tashmë është nën kontroll dhe se organet hetimore janë në koordinim të plotë me prokurorinë për hapat e mëtejshëm.
“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve operative dhe kontrollit të detajuar, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me prokurorinë kompetente,” është bërë e ditur nga Policia e Kosovës.
Autoritetet theksojnë se siguria e nxënësve dhe stafit mbetet prioritet, ndërsa rastet e tilla do të trajtohen me seriozitet të plotë për të parandaluar çdo rrezik potencial në institucionet arsimore. /Gjurmuesi/







