Një aksion i gjerë inspektimi ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë metale të çmuara u zhvillua sot në rajonin e Pejës, në koordinim të ngushtë mes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), Prokurorisë së Shtetit në Pejë, Policisë së Kosovës dhe Doganës – Njësia Kundër Kontrabandës.
Qëllimi i këtij operacioni ishte verifikimi i ligjshmërisë së tregtimit, origjinës së metaleve të çmuara dhe respektimit të standardeve teknike sipas ligjit në fuqi në Kosovë. Gjatë aksionit, inspektorët dhe zyrtarët e institucioneve pjesëmarrëse evidentuan shkelje të ndryshme nga operatorët ekonomikë.
“Ndalim i përkohshëm i mallit IQMT ka gjetur dhe ndaluar një sasi prej mbi 20 kg ari, i cili ishte i paverifikuar dhe pa shenjëzuar nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës. Ky mall do të mbetet i bllokuar deri në përfundimin e procedurave të rregullta ligjore. Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar gjithashtu mbi 25 kg punime të metaleve të çmuara – ari, për të cilat subjektet ekonomike nuk kanë prezantuar dokumentacionin e nevojshëm mbi prejardhjen e tyre”, njoftoi MINTI.
IQMT rikujtoi se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimin e një tregu të barabartë dhe të ligjshëm.
“Tregtimi i metaleve të çmuara pa shenjëzim nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës dhe pa dokumentacion të rregullt përbën shkelje të rëndë dhe të ndëshkueshme. IQMT paralajmëron të gjithë operatorët ekonomikë se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të lartë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe ndaj çdo parregullsie do të ndërmerren masa rigoroze ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi”, theksoi Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut.







