Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në mëngjes në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku janë përplasur një veturë me targa të huaja dhe një kamion me targa vendore. Nga përplasja, ka humbur jetën drejtuesja e veturës.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:40, në kilometrin e 26-të të autostradës. Sipas zëdhënësit të Policisë, Baki Kelani, drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime si pasojë e aksidentit.
“Sot, rreth orës 07:40, në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ në kilometrin e 26-të ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një mjet i rëndë transportues-kamion, me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja”.
“Si pasojë e aksidentit, drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, thuhet në konfirmim.
Përveç njësive të Policisë që po merren me rastin, në vendngjarje kanë dalë edhe ekipet e zjarrfikësve dhe njësitë e tjera relevante për menaxhimin e situatës. /Gjurmuesi/







