Një aksident i rëndë trafiku i ndodhur në Slloveni i ka marrë jetën një të riu nga Kosova. Viktima është 28-vjeçari Leun Kastrati, nga fshati Turjakë i komunës së Malishevës.
Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga faqja e fshatit Turjakë, ku janë shprehur ngushëllime për familjen Kastrati, ndërsa është bërë e ditur se informacionet për ceremoninë e varrimit do të publikohen më vonë.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në autostradën A1, në segmentin ndërmjet Lubjanës dhe Mariborit, afër zonës së Slovenska Bistricës. Një autocisternë e ngarkuar me karburant ka humbur kontrollin, është përplasur me barrierën ndarëse dhe më pas është përmbysur në kahun e kundërt të autostradës, ku është përfshirë nga flakët.
Si pasojë e aksidentit, përveç viktimës nga Kosova, dy persona të tjerë kanë mbetur të lënduar. Në aksident është përfshirë edhe një furgon, i cili është goditur pas përmbysjes së autocisternës.
Sipas policisë sllovene, aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit, ndërsa shoferi i autocisternës ishte duke udhëtuar në drejtim të Mariborit. Shkaqet e sakta të aksidentit ende nuk janë bërë të ditura dhe autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.







