Policia po heton si një krim të mundshëm urrejtjeje vendosjen e një maketi të xhamisë mbi një grumbull paletash të bëra gati për një zjarr tradicional në Irlandë të Veriut.
Një burrë 56-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për përdorimin ose shfaqjen e materialeve kërcënuese, fyese ose denigruese dhe mbahet në paraburgim, njoftoi Shërbimi Policor i Irlandës Veriore, shkruan SkyNews, transmeton klankosova.tv.
Pirgje të mëdha të druve ndizen tradicionalisht në Irlandën Veriore gjatë festimeve të “12-tës” (Twelfth), të cilat përkujtojnë Betejën e Boyne-it të vitit 1690, kur mbreti protestant Williami III – ose Williami i Oranget – mundi mbretin katolik James II.
Historikisht, në Irlandën e Veriut ndizeshin zjarre për t’ua treguar rrugën anijeve të Williamit.
Policia është përballur me thirrje për të ndërmarrë veprime kundër shfaqjes së zjarreve të mëdha.
Një deklaratë e Shërbimit Policor të Irlandës së Veriut (PSNI) tha: “Shfaqja në zjarrin e madh të Moygashel po trajtohet si një vepër penale e motivuar nga urrejtja dhe ne vazhdojmë të vlerësojmë situatën”.
“Një burrë 56-vjeçar i arrestuar më herët sot mbetet në paraburgim policor”.
Maketi, në të cilin shihet edhe një figurë personi brenda duke mbajtur një thikë dhe një flamur, u vendos në majë të zjarrit tradicional në Moygashel, në qarkun Tyrone, të enjten. Pamja ka nxitur reagime të shumta dhe është dënuar gjerësisht si nxitje e urrejtjes.
Në pirgun e ndërtuar me paleta druri, i cili pritet të ndizet të premten në mbrëmje, janë vendosur edhe pankarta me mbishkrimet: “Siguroni kufijtë tanë” dhe “Jepini fund kërcënimit të Islamit radikal”.
Shoqata e Zjarrit Tradicional të Moygashelit deklaroi se vendosja e këtij pirgu ishte një “akt proteste politike” kundër, sipas saj, “emigrimit masiv të pakontrolluar dhe të paligjshëm”.














