Çmimet e produkteve bazë në vend po vazhdojnë të rriten, duke e bërë jetesën çdo ditë më të vështirë për qytetarët. Qumështi, djathi, vaji, vezët dhe artikuj të tjerë ushqimorë tashmë kushtojnë dukshëm më shumë, ndërsa bashkë me to janë shtrenjtuar edhe shumë shërbime të përditshme. Kjo situatë po rëndon ndjeshëm buxhetet familjare, veçanërisht për ata me të ardhura të ulëta.
Qytetarët thonë se me pagat aktuale, çmimet në treg janë bërë të papërballueshme. Ekspertët e ekonomisë ndërkohë theksojnë se ky trend rritjeje lidhet kryesisht me mungesën e konkurrencës reale në treg dhe varësinë e lartë nga importet.
Vetëm nga janari deri në shtator të këtij viti, Kosova ka importuar mallra në vlerë mbi 5 miliardë euro, që përfaqëson një rritje prej rreth gjysmë miliardi euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni mesatar në shtator ishte 4.7 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Në këtë sfond ekonomik, pensioni bazik në vend është 120 euro, paga minimale 350 euro bruto, ndërsa paga mesatare për vitin 2024 arrin në 639 euro. /Gjurmuesi/









