Autobiografia duhet besuar vetëm kur zbulon diçka të turpshme. Një njeri që jep një rrëfim të mirë për veten ndoshta gënjen, pasi çdo jetë kur shikohet nga brenda është thjesht një seri disfatash. Megjithatë, edhe libri që është i pandershëm në mënyrën më flagrante (shkrimet autobiografike të Frenk Herrisit janë një shembull) mund të japin edhe pa e synuar një pamje të vërtetë të autorit të tij. Jeta[1] e publikuar së fundmi nga Dali është në këtë kategori. Disa nga ndodhitë në të janë krejtësisht të pabesueshme, të tjerat janë riorganizuar dhe romantizuar dhe, jo thjesht poshtërimi, por normaliteti i vazhdueshëm i jetës së përditshme është prerë. Dali, madje sipas diagnozës së tij, është narcist dhe autobiografia e tij është thjesht një akt striptizi i kryer në qendër të vëmendjes rozë. Por si një regjistrim i fantazisë, i çoroditjes së instinktit që është bërë e mundur nga epoka e makinës, ka një vlerë të madhe.
Ja, pra, disa nga episodet në jetën e Dalit, që nga vitet e tij të hershme e më pas. Se cilat prej tyre janë të vërteta dhe cilat janë imagjinare, zor se ka rëndësi: është ajo lloj gjëje që Dali do të kishte dashur të bënte. Kjo është çështja.
Kur është gjashtë vjeç pushtohet nga entuziazmi për shfaqjen e kometës së Hallej:
Papritur, një nga nëpunësit e zyrës së babait tim u shfaq në derën e dhomës së pritjes dhe njoftoi se kometa mund të shihej nga tarraca… Ndërsa po kaloja korridorin, pashë motrën e vogël trevjeçare që zvarritej pa u vënë re përmes një dere. Ndalova, u mëdysha për një sekondë, më pas i dhashë një goditje të tmerrshme në kokë sikur të ishte top dhe vazhdova të vrapoja, i rrëmbyer me një “gëzim delirant” të shkaktuar nga ky akt i egër. Por babai që ishte pas meje, më kapi dhe më çoi në zyrën e tij, ku qëndrova si dënim deri në darkë.
Një vit më parë ky Dali kishte hedhur “papritur, ashtu si më vijnë shumica e ideve”, një djalë tjetër të vogël nga një urë e varur. Përshkruhen shumë ndodhi të tjera të këtij lloji, duke përfshirë (kjo kur ai ishte njsëzet e nëntë vjeç) rrëzimin dhe shkeljen e një vajze “derisa u desh ta largonin të përgjakur, prej meje”.
Kur ai është rreth pesë vjeç kap një lakuriq të plagosur, të cilin e fut në një kovë prej kallaji. Mëngjesin tjetër ai zbulon se lakuriqi i natës gati ka ngordhur dhe është mbuluar me milingona që po e gllabërojnë. E fut në gojë, bashkë me milingonat, dhe e kafshon pothuajse deri në gjysmë.
Kur është adoleshent, një vajzë bie dëshpërimisht në dashuri me të. Ai e puth dhe e përkëdhel për ta eksituar sa më shumë, por nuk pranon të shkojë më tej. Ai vendos ta bëjë këtë për pesë vjet me radhë (ai e quan atë “plani i tij pesëvjeçar”), duke shijuar poshtërimin e saj dhe ndjenjën e fuqisë që i jep. Ai i thotë shpesh se në fund të pesë vjetëve do ta braktisë dhe kur të vijë koha e bën këtë.
Deri në moshë të rritur ai vazhdon praktikën e masturbimit dhe i pëlqen ta bëjë, me sa duket, para një pasqyre. Për arsye të rëndomta është impotent, me sa duket, deri në moshën tridhjetë e ca. Kur e takon për herë të parë gruan e tij të ardhshme, Galën, tundohet shumë për ta shtyrë në një greminë. Ai është i vetëdijshëm se ka diçka që ajo dëshiron që ai t’i bëjë asaj dhe pas puthjes së tyre të parë bëhet rrëfimi:
E shtyva kokën e Galas, duke e tërhequr nga flokët dhe duke u dridhur nga histeria e plotë, urdhërova: “Tani më thuaj çfarë do që të bëj me ty! Por më thuaj ngadalë, duke më parë në sy, me fjalët më të vrazhda, më të egra erotike që mund të na bëjnë të dy të ndiejmë turpin më të madh!”
… Pastaj Gala, duke e shndërruar dritën e fundit të shprehjes së saj të kënaqësisë në dritën e fortë të tiranisë së saj, u përgjigj: “Dua të më vrasësh!”
Ai është disi i zhgënjyer nga kjo kërkesë, pasi është thjesht ajo që donte të bënte. Mendon ta hedhë nga kambanorja e katedrales së Toledos, por nuk e bën.
Gjatë Luftës Civile Spanjolle ai me zgjuarsi shmang të jetë në njërën anë dhe bën një udhëtim në Itali. E ndien veten gjithnjë e më shumë të tërhequr drejt aristokracisë, frekuenton sallonet, e gjen veten si klient të pasur dhe fotografohet me Vicomte de Noailles e shëndoshë, të cilin e përshkruan si “mecenatin” e tij. Kur afrohet lufta evropiane, ai ka vetëm një shqetësim: si të gjejë një vend që ka gatim të mirë dhe nga i cili mund të ikë si vetëtimë nëse rreziku i afrohet shumë. Ikën nga Bordeaux për në Spanjë gjatë Betejës së Francës. Qëndron në Spanjë aq gjatë sa për të dëgjuar disa histori mizorie kundër të kuqve, pastaj ia mban për në Amerikë. Historia përfundon me një flakë respekti. Dali, në moshën tridhjetë e shtatëvjeçare, është bërë bashkëshort i përkushtuar, është shëruar nga devijimet ose disa prej tyre dhe është pajtuar plotësisht me Kishën Katolike. Dhe arrin të grumbullojë goxha shumë para.
Megjithatë, kurrsesi s’resht së krenuari me pikturat e periudhës së tij surrealiste, me tituj si Masturbatori i madh, Sodomia e një kafke me një piano të madhe etj. Ka riprodhime të tyre gjatë gjithë librit. Shumë nga vizatimet e Dalisë janë përfaqësuese dhe kanë një karakteristikë që duhet theksuar më vonë. Por nga pikturat dhe fotografitë surrealiste dy gjërat që bien në sy janë perversiteti seksual dhe nekrofilia. Objektet dhe simbolet seksuale – disa prej tyre të njohura, si shapka me taka të larta, të tjera, si paterica dhe filxhani me qumësht të ngrohtë, të patentuara nga vetë Dali – përsëriten vazhdimisht, dhe ka një motiv të mirënjohur që lidhet me jashtëqitjen. Për pikturën, Le Jeu Lugubre, thotë ai, “sirtarët e mbushur me jashtëqitje u pikturuan me një vetëkënaqësi kaq të imët dhe realiste, saqë i gjithë grupi i vogël surrealist u brengos nga pyetja: “A është ai fekalengrënës apo jo?” Dali shton me vendosmëri se nuk është, dhe se e sheh këtë lajthitje si “të neveritshme”, por duket se vetëm në atë pikë ndalon interesi i tij për jashtëqitjet. Edhe kur rrëfen përvojën e shikimit të një gruaje duke urinuar në këmbë, duhet ta shtojë detajin se asaj i mungon qëllimi dhe i ndot këpucët. Nuk është e thënë që një njeri t’i ketë të gjitha veset dhe Dali mburret edhe që nuk është homoseksual, por duket se ka një lloj perversiteti që mund të dëshironte kushdo.
Megjithatë, karakteristika e tij më e dukshme është nekrofilia. Ai vetë e pranon lirisht këtë dhe mëton se është shëruar prej saj. Fytyrat e vdekura, kafkat, kufomat e kafshëve ndodhin mjaft shpesh në pikturat e tij dhe milingonat që gllabërojnë lakuriqin që po vdiste, rishfaqen vazhdimisht. Një fotografi tregon një kufomë të zhvarrosur, shumë të dekompozuar. Një tjetër tregon gomarët e ngordhur që kalben mbi pianon e madhe të cilët ishin pjesë e filmit surrealist Le Chien Andalou. Dali ende i shikon këta gomarë me shumë entuziazëm. “Kalbjen e gomarëve e “përgatita” me enë të mëdha me ngjitës të cilin e derdha mbi ta. Gjithashtu ua zbraza gropat e syve dhe i bëra më të mëdha duke i prerë me gërshërë. Në të njëjtën mënyrë ua preva me furi gojën për t’i treguar më mirë rreshtat e dhëmbëve dhe shtova disa nofulla në secilën gojë, në mënyrë që të dukej se, edhe pse gomarët tashmë po kalben, ata po vjellin pak më shumë vdekjen e tyre, mbi ato rreshtat e tjerë të dhëmbëve të formuar nga tastet e pianos së zezë. Dhe së fundi është fotografia – me sa duket një lloj fotografie e falsifikuar – e një Manekini që kalbet në një taksi”. Mbi fytyrën dhe gjoksin tashmë disi të fryrë të një vajze në dukje të vdekur, zvarriten kërmijtë e mëdhenj. Në titullin poshtë fotografisë Dali vë në dukje se këta janë kërmijtë Burgundy – domethënë lloji i ngrënshëm.









