Politikani Enver Hoxhaj ishte i ftuar në emisionin Weekend në Klan Kosova bashkë me gruan e tij, profesoreshën universitare, Remzije Shahini-Hoxhaj.
Të dy folën për kohën që mundohen ta kalojnë së bashku dhe me dy fëmijët e tyre pavarësisht angazhimit të madh që kërkojnë punët e tyre.
“Ne si çift jetojmë një jetë shumë dinamike, goxha të preokupume dhe me punë ditore. Vikendet nuk është që janë ma specifike se sa këto ditët e tjera. Edhe në vikende zakonisht na bie të punojmë diçka ose kemi angazhime të tjera familjare”, tha Shahini-Hoxhaj në emisionin Vikend të Klan Kosovës.
“Unë për vete, përkujdesem tash e tre vjet për nanën tem e cila është e shtyrë në moshë edhe rrallë herë e kemi naj vikend shumë personal me Enverin edhe fëmijët. Ma shumë ia përkushtojmë edhe ato pak orë që i kemi, për vete, ia përkushtojmë familjes, po mendoj në përgjithësi, Enveri prindërve të vet, edhe unë prindërve të mi”.
“Po mundohemi që vikendet së paku t’i kemi ma personale, edhe pse dinamika e jetës, sidomos në këto vitet e fundit na ka ba që tan kohën të jemi të angazhum, edhe Enveri, edhe unë”, deklaroi Shahini-Hoxhaj.
Në anën tjetër, Hoxhaj tha se politika lyp 15 orë punë në ditë, por gjithsesi ai gjen kohë për familjen e tij të ngushtë duke shijuar mëngjeset dhe darkat me gruan dhe fëmijët.
“Kur je në politikë, politika është një profesion që i do diku nja 15 orë në ditë. Nuk është punë që bëhet me 7-8 orë, dhe nuk ka orar, si me thanë të hanën e të martën, vjen e premtja. Por mundet me pasë ngjarje që ndodhin edhe të shtunën, edhe të dielën, se kur je përfaqësues i popullit siç unë kam qenë diku për nëntë mandate deputet, e nja katër mandate në qeveri, është njëfarë përkushtimi, nuk mundesh kurrë me qenë një politikan i cili e kupton se çfarë po ndodh në Kosovë nëse nuk e takon secilin, nuk hyn në çdo ambient për ta parë ajrin, për ta krijuar një ide se çfarë po ndodh në vend, dhe tash kjo do kohë”.
“Natyrisht që bashkë me Remzijen dhe me djalin të cilin e kemi në Londër, e vajzën në Prishtinë, i kemi vikendet e caktume ku hamë mëngjes bashkë, ose dalim diku për mëngjes bashkë. Dreka ose darka të cilat i shijojmë, dhe natyrisht në mramje…që jemi bashkë si familje, por jemi familje moderne ku jemi të shpërndamë”, u shpreh kandidati i PDK-së për deputet, Enver Hoxhaj.














