Imagjinoni të dërgoni një mesazh ose të luani një lojë pa lëvizur një gisht. Ose të paktën, pa e lëvizur shumë.
Këtë mund të ua mundësojë një byzylyk, i zhvilluar nga studiuesit e “Meta”-s. Ekipi kohët e fundit publikoi një studim mbi një pajisje të re që mbahet në kyçin e dorës, e cila i kthen edhe dridhjet më të vogla të muskujve në komanda që një kompjuter mund t’i kuptojë.
“Byzylyku neuromotor” është projektuar për të kapur qëllimin pas lëvizjes, edhe nëse dora e përdoruesit nuk prek një ekran ose sipërfaqe. Mund të zbulojë dhe deshifrojë sinjalet elektrike të prodhuara nga muskujt e parakrahut duke përdorur inteligjencën artificiale (IA), raporton “Euronews”, transmeton Klankosova.tv.
Në një video-demonstrim, një përdorues shkruan fjalët “përshëndetje botë” derisa e lëviz dorën në ajër dhe një vizualizim i tekstit përkatës shfaqet pranë tij.
“Meta” tregoi gjithashtu se si njerëzit mund të lëvizin kursorin në ekran dhe të luajnë lojëra duke përdorur vetëm prekje të gishtave ose lëvizje të vogla të duarve, transmeton klankosova.tv.
“Është vërtet një grup zbulimesh disi marramendëse që kemi këtu”, tha Thomas Reardon, nënkryetar i kërkimit në “Meta Reality Labs”, në një video-shpjegim të ofruar nga kompania.
Si funksionon?
Shumica e ndërfaqeve të makinerive të trurit që janë në dispozicion sot kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.
Ndërkohë, elektrodat në rripin e dorës kapin sinjalet e dërguara nga truri te muskujt, në vend që t’i vendosin sensorët direkt në tru duke shpuar në kafkë.
“Ne vendosëm të ndjekim një qasje të ndryshme dhe të regjistrojmë nga prodhimi natyror i trurit. Nuk kemi nevojë të hyjmë në trupin tuaj për ta dëgjuar [atë]. Mund ta bëjmë këtë nga ana e trupit”, tha Reardon.
Kyçi i dorës dhe parakrahu janë të mbushur me muskuj që kontrollojnë lëvizjet e duarve dhe gishtërinjve. Këto sinjale neuromuskulare përpunohen në kohë reale dhe dërgojnë komanda në kompjuterë nëpërmjet “Bluetooth”-it.
Ekipi i “Meta”-s mblodhi të dhëna trajnimi nga mijëra pjesëmarrës për të ndërtuar një inteligjencë artificiale që funksionon për përdoruesit me stile të ndryshme lëvizjeje.
Ekipi thotë se rripi i dorës do të jetë në gjendje të ndihmojë një spektër të gjerë përdoruesish, nga individët me aftësi të kufizuara deri te përdoruesit e përditshëm.
“Ne zgjodhëm qasjen duke thënë, si do të ndërtonim diçka të tillë që të funksiononte menjëherë me tetë miliardë njerëz?”, tha Reardon.
“Ky hulumtim që po publikojmë tregon se ekzistojnë disa ligje të natyrshme, ato që ne i quajmë ligje shkallëzimi, që na lejojnë të ndërtojmë një model të përgjithshëm për të gjithë qytetërimin, në mënyrë që njerëzit të mund të vendosin një rrip dhe të fillojnë të përdorin trurin e tyre drejtpërdrejt”, shtoi Reardon.
“Ata i zgjedhin këto sinjale nga truri i tyre në një mënyrë të përgjithshme për të kontrolluar një kompjuter”.
Patrick Kaifosh, drejtor i shkencës kërkimore në “Meta Reality Labs”, tha se pret që “teknologjia të shkojë shumë më tej”.
“Ajo që keni parë është se këto kurba shkallëzimi vazhdojnë ndërsa merrni më shumë njerëz, më shumë pjesëmarrës, të dhëna, gjërat bëhen gjithnjë e më të mira”, shtoi ai.
“Meta” thotë se shpreson që studimi t’i ofrojë një plan komunitetit më të gjerë shkencor “për të krijuar ndërfaqe neuromotore të tyre”, sipas një deklarate.








