Dy dekada pritje dhe asnjë vendim: A është diskriminuar familja Mehmeti? (VIDEO)

Dokumentet e Komunës së Prishtinës, sipas familjes Mehmeti, dëshmojnë se parcelat në qendër të kryeqytetit i përkasin familjes rome Mehmeti. Në vitin 1966, Selatin Mehmeti..

Dokumentet e Komunës së Prishtinës, sipas familjes Mehmeti, dëshmojnë se parcelat në qendër të kryeqytetit i përkasin familjes rome Mehmeti. Në vitin 1966, Selatin Mehmeti kishte marrë leje ndërtimi për shtëpitë në ato prona.

Avokati i familjes, Fazli Brahaj, thotë se ekzistojnë edhe dokumente të tjera që vërtetojnë pronësinë.

“Provat janë të ndryshme, është një kontratë e cila është arritur në vitin 1982 ndërmjet Selatin Mehmetit të vërtetë, pronarit juridik të vërtetë të tokës dhe gruas së tij, Mazuqe Mehmeti, që ata janë dakordu për ndërtimin e përbashkët mbi ato parcela. Ky fakt na jep me kuptu që Selatin Mehmeti i përkatësisë rome ka qenë pronar juridik i atyre dy parcelave”, ka thënë mes tjerash avokati Brahaj.

Sipas tij, ka dokumentacion edhe nga viti 1985, kur pronarët kishin dhënë pëlqim për marrjen e një pjese të tokës gjatë rregullimit të shtratit të lumit Prishtevka.

Familja pretendon se për rreth 17 vjet Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka marrë asnjë vendim për masën e sigurisë dhe nuk ka mbajtur asnjë seancë për rastin.

Nipi i Selatin Mehmetit, Erdoan Mehmeti, thotë se ndihet i diskriminuar.

“E ndi veten të diskriminuar për shkak të etnisë”, deklaron ai për emisionin MAT në Klan Kosova.

Erdoani shton se familja nuk do të heqë dorë nga prona.

“Ne si familje në këtë rast, në mes të gjykatës kemi me ndjekë deri sa ta kthejmë pronën në emrin tonë”, deklaron ai.

Edhe vajza e Selatinit, Adile Kurti-Mehmeti, kërkon kthimin e shtëpisë së familjes.

“Unë du me mu kthy shtëpia qysh o kanë përpara, shtëpia e babës tem, babgjyshit e babës, vëllezërve, e jona. Kena jetu në qatë shtëpi, me mu kthy shtëpia apet qysh o kanë përpara”, deklaron ajo.

Avokati Brahaj thekson se familja ka bazë ligjore për kthimin e pronës.

“Siç e dimë, të drejtat pronësore janë të shenjta. Prona është diçka që personat duhet ta gëzojnë dhe normalisht, familja Mehmeti, patjetër që do t’i kthej pronat e tyre përshkak se të gjitha provat që janë në shkresa të lëndës flasin se të njëjtit janë pronarë të atyre parcelave”, u shpreh Brahaj.

Një shtëpi në zemër të Prishtinës, një histori që nis në vitet ’60 dhe një familje që prej më shumë se dy dekadash kërkon drejtësi.

Dokumentet flasin për pronësi të qartë. Rrëfimet zbulojnë uzurpim, falsifikim dhe tjetërsim të pasurisë. Ndërsa institucionet, për vite me radhë, kanë heshtur.

Procedura penale u mbyll pa përgjigje. Procesi civil zvarritet ende. Dhe në këtë boshllëk institucional, prona ka kaluar nga një dorë në tjetrën.

Për familjen Mehmeti, kjo nuk është vetëm një çështje pronësie. Është histori, është kujtim, është identitet.

Ata thonë se nuk do të ndalen. Se drejtësia mund të vonojë, por nuk duhet të mungojë.

Dhe pyetja mbetet:

A do të arrijë kjo familje ta rikthejë atë që e konsideron të sajën me të drejtë? Apo ky rast do të mbetet një tjetër dëshmi e një sistemi që vonon drejtësinë… deri në mohimin e saj?

About the Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *