Rritja e shpejtë e çmimeve të derivateve në Kosovë gjatë javëve të fundit po rëndon ndjeshëm buxhetin e qytetarëve dhe bizneseve. Me trendin aktual, kërkesat për masa konkrete nga institucionet po bëhen gjithnjë e më të zëshme.
Aktualisht, çmimi i një litri naftë ka arritur në rreth 1.71 euro, duke reflektuar ndikimin e drejtpërdrejtë të tregjeve ndërkombëtare dhe tensioneve në Lindjen e Mesme, nga të cilat Kosova si vend importues varet në masë të madhe.
Barrën kryesore të këtyre ndryshimeve po e mbajnë qytetarët, sidomos ata që përdorin veturat çdo ditë. Sipas tyre, çmimet janë bërë të papërballueshme dhe po i detyrojnë të kërkojnë alternativa jashtë vendit.
“Për momentin, derivatet në Kosovë janë shumë të shtrenjta. Nuk ka zgjidhje tjetër përveçse ose të dalim në këmbë, ose të shkojmë të furnizohemi në Maqedoni ose Mal të Zi, sepse në Kosovë janë shtrenjtuar tepër. Sa i përket çmimeve në Kosovë, janë shumë të larta, dhe në veçanti derivatet janë shtrenjtuar shumë kohën e fundit. Vetëm duke shkuar në Maqedoni për t’u furnizuar, sepse atje çmimet janë më të lira”, tha një qytetar.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se institucionet duhet të ndërhyjnë duke marrë shembull nga vendet e rajonit, të cilat tashmë kanë aplikuar masa lehtësuese për qytetarët.
Ekonomisti Lulzim Beqiri thotë se ulja e akcizës dhe e TVSH-së mbetet alternativa më e shpejtë dhe më efektive për të përballuar këtë situatë.
“Kjo do t’u ndihmonte qytetarëve të vendit, të cilët do të kishin të paktën një përkujdesje nga shteti, dhe njëkohësisht do të ndihmonte edhe bizneset për të parandaluar zinxhirin e rritjes së çmimeve në të gjithë linjën e prodhimit. Prandaj, është e domosdoshme që institucionet përkatëse të ulin akcizën dhe TVSH-në. Në këtë mënyrë, çmimi maksimal për një litër naftë do të ishte rreth 1.20 euro dhe do të ishte më i përballueshëm për qytetarët e Kosovës. Dëmi nuk është i madh për buxhetin e shtetit, sepse jemi në krizë dhe shteti duhet të marrë përsipër edhe obligimet që ka ndaj qytetarëve”, thotë Beqiri.
Sipas njohësve të fushës, kjo ndërhyrje do të ishte ndihma më direkte, sidomos duke marrë parasysh se tashmë është në fuqi edhe kufizimi i marzhës së fitimit, sipas vendimit të Ministrisë së Tregtisë, që parasheh 2 centë për shitjet me shumicë dhe 12 centë për shitjet me pakicë.
Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka intensifikuar kontrollet në sektorin e derivateve në gjithë vendin, përmes inspektimeve të vazhdueshme ndaj operatorëve.
Në kontrast me Kosovën, Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë masa konkrete duke ulur TVSH-në për derivatet nga 18% në 10% për një periudhë dyjavore, si përpjekje për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve.














