Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të re, mes deklaratave kontradiktore nga të dyja palët lidhur me komunikimin dhe zhvillimet e fundit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se Uashingtoni dhe Teherani kanë zhvilluar “biseda produktive”, duke shtuar se SHBA do të pezullojë përkohësisht çdo sulm ushtarak ndaj objekteve energjetike iraniane për një periudhë prej pesë ditësh.
Ky vendim vjen pas paralajmërimeve të mëhershme të Trumpit, i cili kishte kërcënuar me ndërhyrje ushtarake nëse Irani nuk do të lejonte rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit deri rreth mesnatës.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Iranit ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke deklaruar se nuk ka pasur “asnjë dialog” mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Ndërkohë, Irani kishte paralajmëruar më herët se do të kundërpërgjigjej duke goditur objektiva energjetike në Lindjen e Mesme.














