Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Londër, ku një i ri shqiptar ka humbur jetën në një aksident në vendin e punës, i cili sipas autoriteteve mund të ishte parandaluar.
Një 19-vjeçar shqiptar, Renols Lleshi, ka humbur jetën pasi ka rënë në një bosht ventilimi në një kantier ndërtimi në Acton, në një aksident të cilësuar si “plotësisht i shmangshëm”.
Viktima po ndihmonte në çmontimin e skelave në kopshtin e çatisë në katin e 12-të të një pallati në ndërtim, në zonën e Ark Soane Academy në Mill Hill Road.
Sipas hetimeve, ai ka shkelur mbi një bosht ventilimi, mbulesa e të cilit është shembur, duke bërë që të bjerë gjashtë kate më poshtë, çka i shkaktoi vdekjen.
Autoriteti britanik për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë (HSE) konstatoi se hapësira ishte mbuluar vetëm me një fletë kartoni gipsi dhe shkumë çatie, masa që konsiderohen të pamjaftueshme për sigurinë në një ambient të tillë.
Po ashtu, hetimet zbuluan se inspektimet rutinë nuk përfshinin zonën e kopshtit të çatisë, çka bëri që rreziku të mos identifikohej dhe të mos kishte asnjë paralajmërim për ekipin që punonte aty.
Familjarët e të ndjerit kanë deklaruar se fakti që vdekja e tij ishte plotësisht e shmangshme e bën humbjen edhe më të rëndë. Babai i tij u shpreh se, megjithëse janë mirënjohës për hetimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve, asgjë nuk mund ta rikthejë djalin e tyre apo të lehtësojë dhimbjen.
Kompania e ndërtimit “Jerram Falkus Construction Limited”, punëdhënësi i viktimës, pranoi shkeljen e rregullave për punën në lartësi dhe u gjobit me 42,200 paund. Gjithashtu, ajo u detyrua të paguajë edhe 2,000 paund shtesë dhe 5,000 paund për shpenzime gjyqësore nga Gjykata e Magjistraturës së City of London.














