Sezoni i ri bujqësor po nis me kosto më të larta për fermerët, të cilët po përballen me rritje të ndjeshme të çmimeve të inputeve kryesore. Kjo situatë pritet të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e prodhimit dhe në fitimin e tyre.
Në bujqësinë e fushave, rreth 40% e kostos së prodhimit përbëhet nga plehrat kimike si dapi, ure dhe superfosfatet. Në mungesë të tyre, rendimenti i kulturave si gruri dhe misri pëson rënie të ndjeshme. Megjithatë, këtë vit fermerët do të prodhojnë grurë më të shtrenjtë, pasi çmimi i plehrave kimike në farmacitë bujqësore është rritur me 20-30%. Përdorimi i fertilizuesve mbetet i domosdoshëm për zhvillimin e bujqësisë.
“Për shembull në bimën e grurit nëse ne marrim një rendiment 60 kuintal. Nëse marrim të gjitha të ardhurat për një 1 Ha nga shitja fermeri do të marrë 1800 euro, nga këto plehrat kime zënë një peshë të kostove mbi 30%”, shprehet Ilir Kristo, pedagog.
Rritja e kostove prek edhe fermerët e serave. Edhe pse përdorimi i plehrave kimike është më i ulët në këtë sektor, shpenzimet kryesore lidhen me pesticidet.
Më tej Kristo shprehet “Pesha në ostone prodhimit të serave mund të zërë 15-20% të kostos së prodhimit”.
Ndërkohë, fermerët do të përballen me shpenzime më të larta edhe për proceset mekanike. Plugimi dhe frezimi i tokës janë shtrenjtuar si pasojë e rritjes së çmimit të naftës.














