Besimtarët myslimanë në Kosovë dhe në mbarë botën festuan sot Fitër Bajramin, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin islam, që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Pas një muaji agjërimi, përkushtimi dhe sakrifice, kjo festë u shënua me falje, lutje dhe mesazhe paqeje e solidariteti.
Manifestimi qendror për Republikën e Kosovës u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Programi kishte filluar në orën 05:03 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit ishte mbajtur ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga kryeimami i KBI-së në Ferizaj, Ibrahim ef. Beqiri. Namazi i Fitër Bajramit ishte falur në orën 06:18, të cilit i kishte prirë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti. Hytben e Fitër Bajramit e kishte mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili ishte drejtuar opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.














