Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e aktivitetit të partisë politike Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi kjo parti nuk ka organizuar kuvendin zgjedhor brenda afatit të përcaktuar me ligj.
Vendimi lidhet me obligimin ligjor që partitë politike të mbajnë zgjedhjet e brendshme në intervale të caktuara kohore, një proces që sipas KQZ-së nuk është realizuar nga AKR-ja brenda periudhës së paraparë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sot pezullimin e partisë politike Aleanca Kosova e Re (AKR) për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afateve ligjore.
U.d. i kryetarit të AKR-së, Vesel Makolli, tha se arsyeja pse nuk është mbajtur kuvendi zgjedhor lidhet me zhvillimin e dy proceseve zgjedhore gjatë vitit të kaluar.
“Rastisen dy palë zgjedhje, ato lokale dhe qendrore, prandaj nuk mundëm me e mbajtë kuvendin zgjedhor brenda afatit katërvjeçar deri më 24 shkurt. Sipas ligjit për partitë politike, AKR-ja pezullohet dhe brenda 45 ditëve duhet të mbajë kuvendin. Pezullimi do të thotë që, nëse zgjedhjet do të mbaheshin ndërkohë, ne nuk mund të konkurrojmë si parti e vetme me listën tonë, ndërsa në listë me ndonjë parti tjetër mund të garojmë, siç kemi bërë në zgjedhjet e fundit”, tha ai.
Ai bëri të ditur gjithashtu se partia është duke planifikuar mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor gjatë muajit prill.
“Përndryshe, partia funksionon dhe planifikojmë që deri në mes të prillit të mbahet kuvendi zgjedhor”, tha Makolli.






