Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ndaj një deklarate të publikuar nga Gjykata Speciale në Hagë në rrjetin social “X”. Në këtë deklaratë, gjykata ka theksuar se gjyqtarët sigurojnë respektimin e të drejtave të të akuzuarve në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në reagimin e saj, OVL e UÇK e ka cilësuar këtë deklaratë si një përpjekje për të “hedhur hi syve popullit të Kosovës”. Sipas organizatës, qytetarët kanë qenë dëshmitarë gjatë viteve të fundit për shkelje të të drejtave themelore të të akuzuarve dhe për këtë arsye nuk besojnë se gjatë procesit gjyqësor është respektuar në mënyrë reale Kushtetuta.
“Pikërisht për këtë arsye, sot shtrojmë një pyetje të thjeshtë dhe krejt legjitime: nëse gjykimi është në fazën përmbyllëse, pse bashkëluftëtarët tanë nuk lejohen ta presin verdiktin përfundimtar në shtëpitë e tyre, pranë familjeve dhe popullit të tyre?” thuhet në reagim.
Ndërkohë, theksohet se të akuzuarit kanë të drejtë të apelojnë vendimet e Speciales te paneli i veçantë ose te Dhoma e Specializuar.
OVL e UÇK ka ngritur gjithashtu shqetësimin për, siç e quan ajo, mbajtjen e zgjatur të të akuzuarve në paraburgim, duke e cilësuar këtë praktikë si të paarsyeshme dhe duke kërkuar përgjigje të qarta nga institucionet përkatëse, e jo vetëm deklarata formale.
Në reagim theksohet se organizata kërkon drejtësi të vërtetë dhe trajtim të barabartë sipas standardeve që zbatohen në sistemet gjyqësore demokratike.
Ky reagim vjen në një moment kur proceset në Gjykatën Speciale po afrohen drejt fazave përfundimtare, ndërsa debati për trajtimin dhe të drejtat e të akuzuarve vazhdon të mbetet një çështje me interes të madh për opinionin publik në Kosovë.






