Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj dekretit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si veprim kundër-kushtetues. Ai ka theksuar se sipas afatit 60-ditor të paraparë në nenin 82 të Kushtetutës, gjatë kësaj periudhe do të kishte hapësirë që Kuvendi të trajtonte dhe të miratonte disa çështje me rëndësi për vendin.
Në një postim në Facebook, Murati ka theksuar se brenda këtij afati deputetët do të mund të votonin marrëveshje ndërkombëtare, ligje që lidhen me Planin e Rritjes me Bashkimin Evropian, rishikimin e buxhetit si dhe reforma të tjera të rëndësishme.
Sipas tij, vetëm në seancën e së premtes që lamë pas ishte planifikuar të votoheshin marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej 121 milionë eurosh, ndërsa miratimi i ligjeve të Planit të Rritjes do të mund të çlironte një pjesë të mjeteve nga 882 milionë euro të këtij programi.
Murati ka përmendur gjithashtu se në këtë periudhë do të mund të diskutoheshin edhe ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e presidentit me votë të drejtpërdrejtë, si dhe mundësia për një kandidat konsensual për president.
“Mirëpo në vend të këtyre, Kuvendi u shpërnda me dekret kundër-kushtetues, përmes të cilit përfaqësuesve të popullit iu mohua e drejta të kryenin punën e tyre”, ka shkruar Murati, duke ngritur pyetjen “Pse ky nxitim?”.







