Komiteti për Drejtësi dhe Integritet (KDI) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me mosarritjen e një marrëveshjeje nga përfaqësuesit politikë në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, pavarësisht krizave të njëpasnjëshme gjatë vitit të fundit. Sipas KDI, kjo situatë rrezikon të futë vendin në një gjendje të pasigurisë kushtetuese dhe institucionale.
“Prandaj, duke pasur parasysh që situata e tanishme mund të prodhojë pasoja të pakthyeshme, i bëjmë thirrje Gjykatës Kushtetuese që, në përputhje me rolin e saj si gardiane e mbrojtjes së rendit kushtetues dhe konform interesit publik, të përdorë mekanizmat proceduralë për trajtim të përshpejtuar dhe të ofrojë qartësi kushtetuese përpara zhvillimit të procesit zgjedhor.
Në një demokraci kushtetuese, është me rëndësi thelbësore që veprimet e institucioneve që prodhojnë pasoja të mëdha politike dhe institucionale të mbështeten në një interpretim të qartë të Kushtetutës. Asnjë prej proceseve që prekin funksionimin e institucioneve dhe proceset eventuale zgjedhore nuk do të duhej të zhvilloheshin nën një paqartësi kushtetuese. Çdo vonesë në interpretime të tilla krijon pasiguri juridike, institucionale dhe politike”.
KDI bën thirrje që të gjithë aktorët institucionalë dhe politikë të veprojnë me përgjegjësi dhe të shmangin veprime apo deklarime që mund të rrisin paqartësitë kushtetuese dhe tensionin politik. “Respektimi i rendit kushtetues, maturia institucionale dhe besimi në mekanizmat kushtetues janë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit demokratik dhe funksionimin normal të institucioneve të vendit”.







