Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka filluar monitorimin e tregut të karburanteve, pas rritjeve të menjëhershme të çmimeve që janë vërejtur së fundmi. Ky veprim vjen në një periudhë kur tensionet dhe konfliktet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar në zhvillimet e tregut energjetik.
Sipas njoftimit, qëllimi i këtij monitorimi është të parandalohet çdo formë abuzimi me çmimet nga operatorët në treg, si dhe të sigurohet funksionimi i drejtë i konkurrencës.
“Çdo marrëveshje, bashkërendim ose veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut ose kufizimin e konkurrencës, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore”, thuhet në njoftim.
Autoriteti i Konkurrencës u bën gjithashtu thirrje bizneseve që të respektojnë parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme në treg.
Në reagim theksohet se operatorët duhet të shmangin çdo formë bashkërendimi të çmimeve me bizneset e tjera dhe të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve, sidomos në këtë periudhë të zhvillimeve ekonomike dhe gjeopolitike.









