Debati për çështjen e nënshkrimeve për kandidimin e Vjosa Osmanit është thelluar me deklarata të ndërsjella mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Presidencës. Ajo që nisi si një deklaratë në konferencë për media, u shndërrua në një seri reagimesh publike.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, deklaroi se partia e saj ia ka ofruar Presidentes Vjosa Osmani nënshkrimet për ta rikandiduar për një mandat të dytë. Kjo u demantua menjëherë nga Shefja e Stafit të Presidencës, Learta Hollaj, e cila në një postim në Facebook e cilësoi këtë pretendim si të pavërtetë.
“Kjo është gënjeshtër”, shkroi Hollaj.
Gjatë konferencës, Nagavci u pyet për reagimin e Hollajt dhe u përgjigj: “Zonjës Learta dhe Zonjës Presidente sot ua garantoj nënshkrimet për të vazhduar me garë”.
Ndërkohë, reagoi edhe këshilltarja e Presidentes, Egnesa Vitia, e cila tha se LVV-ja i ka kërkuar Osmanit të hyjë në garë si kundërkandidate e Glauk Konjufcës “vetëm sa për kuorum”.
“E nëse nuk bëhet as atëherë kuorumi, dalim e fajësojmë opozitën që ata na dërguan në zgjedhje. Pra, kurrë s’i kanë ofruar përkrahje për t’u rizgjedhur”, ka thënë Vitia.
Në debat u përfshi edhe zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, i cili deklaroi se nëse ka dyshime për numrin e nënshkrimeve, ato mund të sigurohen menjëherë.
“nëse shefja e zyrës së Presidentes ka dyshime se nuk i kemi premtuar Presidentes 30 nënshkrime, e ftoj që sonte të vijë në zyret e Lëvizjes, do t’i ketë edhe 3 më shumë se kandidati Glauk Konjufca, pra 33”.
Hollaj reagoi sërish, duke theksuar se Presidentes nuk i është ofruar mbështetje për rizgjedhje, por i është kërkuar të jetë pjesë e garës vetëm për formalitet.
“Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Pra Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla”.
“Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu”, shkroi Hollaj në Facebook.
Ajo i tha Nagavcit se “përvoja juaj parlamentare dhe politike është e mjaftueshme për ta trajtuar këtë çështje me seriozitetin që kërkon pesha kushtetuese dhe interesi qytetar e shtetëror”.
“Kjo nuk është çështje e thjeshtë e aritmetikës procedurale apo administrative, por temë që prek thelbin e përgjegjësisë institucionale dhe respektimin e rendit kushtetues. Prandaj, qasja duhet të reflektojë maturi politike dhe ndjeshmëri ndaj interesit publik, përtej kalkulimeve të ulëta”, theksoi ndër të tjera Shefja e Stafit të Presidencës, Learta Hollaj.







