Ajo që fillimisht u mendua si një problem teknik i shkaktuar nga punime në terren, rezultoi të kishte një autor krejt të pazakontë. Një ndërprerje e rrjetit që la pa shërbime telefonike dhe interneti disa zyra qeveritare në një qark të Ohajos, tani i atribuohet një ketri.
Zyrtarët e Qarkut të Medinës njoftuan se incidenti i 20 shkurtit, i cili preku objektet qeveritare – përfshirë edhe zyrën e prokurorit të qarkut – fillimisht ishte dyshuar se kishte ardhur si pasojë e prerjes aksidentale të fibrave nëntokësore nga kontraktorët.
Megjithatë, administratori i Qarkut, Matt Springer, bëri të ditur në mbledhjen e fundit të komisionerëve se shkaku i vërtetë ishte një ketër që kishte ndërtuar fole brenda infrastrukturës së fibrave optike dhe kishte përtypur disa linja.
“Është e vështirë të shpikësh këto gjëra”, tha Springer gjatë takimit.
Ai shtoi se po merren masa në bashkëpunim me ofruesit e internetit dhe rrjetin lokal të fibrave për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Ketrat konsiderohen si një ndër rreziqet e njohura për kompanitë e shërbimeve, pasi ndër vite janë fajësuar për ndërprerje të shumta të energjisë nëpër Shtetet e Bashkuara.









