Një operacion i autoriteteve zvicerane ka çuar në zbardhjen e një rasti të madh të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku protagonistë rezultojnë katër shtetas shqiptarë. Sasia e sekuestruar arrin në afro 44 kilogramë kokainë, e cila ishte futur në Zvicër nga Meksika.
Sipas raportimeve, droga ishte nisur nga Cancuni me destinacion Cyrihun, ndërsa skema dyshohet se ishte realizuar me ndihmën e stafit të korruptuar në një aeroport në Meksikë, duke mundësuar kalimin e valixheve pa kontrollet e zakonshme.
Gjykata e Qarkut në Bülach ka shpallur vendimin për katër shqiptarët, të moshës nga 27 deri në 36 vjeç, të cilët akuzohen për kontrabandimin e kokainës nga Meksika në Zvicër gjatë vitit 2024.
Tre prej tyre kishin udhëtuar në korrik 2024 nga Frankfurti drejt Cyrihut. Ata, së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë që kishin mbërritur nga Amsterdami në Cyrih, janë drejtuar te karuseli i bagazheve ku po shpërndaheshin valixhet e një fluturimi që kishte ardhur nga Cancuni i Meksikës.
Rasti konsiderohet si një ndër goditjet më të mëdha të kohëve të fundit ndaj trafikut të drogës me origjinë nga Amerika Latine drejt Zvicrës.







