Një e re 20-vjeçare ka dëshmuar në një gjykatë në Los Anxhelos, duke fajësuar rrjetet sociale për përkeqësimin e shëndetit të saj mendor që nga fëmijëria. Rrëfimi i saj ka ngjallur reagime të forta, pasi ajo pretendon se përdorimi i hershëm i platformave digjitale e çoi drejt ankthit, depresionit dhe vetëdëmtimit.
E identifikuar si Kaley (KGM) për të ruajtur privatësinë, ajo ka ngritur padi ndaj kompanive Meta dhe Google. Sipas saj, këto kompani kanë zhvilluar platforma me mekanizma varësues që synojnë edhe përdoruesit e mitur. Në fokus të padisë janë Instagram dhe YouTube.
“Gjëja e parë që bëja kur zgjohesha ishte Instagrami dhe qëndroja aty gjithë ditën”, dëshmoi ajo.
Ajo deklaroi se filloi të përdorte YouTube që në moshën 6-vjeçare, ndërsa Instagramin në moshën 9-vjeçare, pa u përballur me asnjë kufizim real për moshën.
Sipas saj, funksioni “autoplay” në YouTube, i cili nis automatikisht videon pasuese, e mbante të angazhuar për orë të tëra, duke e bërë edhe më të vështirë shkëputjen nga platforma.








