Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka regjistruar një fitore të thellë në shtëpi, duke dominuar përballë Gjibraltarit në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja ishte pjesë e Kualifikimeve për Botërorin e Vajzave 2027 dhe u karakterizua nga kontroll i plotë i lojës nga Dardanet.
Epërsia erdhi shumë shpejt. Qysh në minutën e 4-të, Kosova realizoi golin e parë, duke e vendosur ritmin e takimit që në start. Dominimi vazhdoi edhe në pjesën e parë, ku në minutën e 26-të u shënua edhe goli i dytë, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Në fraksionin e dytë, Kosova nuk e uli intensitetin. Modesta Uka realizoi për 3-0 në minutën e 63-të, duke e thelluar epërsinë.
Më pas, në minutat 72 dhe 76, Dardanet shënuan edhe dy herë të tjera për ta çuar rezultatin në 5-0.
Për rezultatin përfundimtar 6-0 u përkujdes sulmuesja Gentiana Fetaj, e cila në minutën e 87-të realizoi golin e saj të dytë personal në këtë ndeshje, duke vulosur një paraqitje të fuqishme të Kosovës.
Kosova bën pjesë në Grupin 2 të Ligës C në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.








