Gratë lehona nuk i kanë marrë shtesat për muajt janar dhe shkurt në nivelin e pagës minimale prej 425 eurosh, siç ishte paralajmëruar më herët. Dy javë pas formimit të Qeverisë, përfitueset kanë pranuar pagesën e shkurtit në shumën 325 euro, ndonëse pagesa mujore sa paga minimale ka qenë pjesë e programit qeverisës të Vetëvendosjes.
Përmbushjen e këtij zotimi e pati premtuar kryeministri Albin Kurti në Kuvend, në javën e parë pas marrjes së mandatit, para votimit të kabinetit qeveritar në tetor.
Megjithatë, deri tani – edhe pse është miratuar buxheti për vitin 2026 – nuk është marrë vendim për rritjen e shtesave në nivelin e pagës minimale.
Nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare kanë deklaruar se çdo ndryshim do të bëhet me vendim të Qeverisë, pa specifikuar një afat konkret.
“Lidhur me pyetjen e parashtruar rreth lartësisë dhe shumës së përfitimeve të shtesave për lehona në vlerën e pagës minimale prej 425.00 eurosh ju njoftojmë se për çdo rritje të shtesave për lehona apo përfitimeve të tjera do të rregullohet me vendim të Qeverisë dhe Ministrisë, në kuadër të të cilave vendime do të përcaktohet edhe mënyra e zbatimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Lehona Mirjeta Hoxha ka shprehur pakënaqësi për mosrealizimin e premtimit.
“Në muajin shkurt e kam marrë pagesën e parë, e cila ka qenë 325 euro dhe jo 425. Shtesat do t’i marr edhe për dy muaj. Pasi ka qenë premtim, pres që nëse merret vendimi për rritjen e tyre në 425 euro, të vlejë retroaktivisht edhe për muajin shkurt”, ka thënë Hoxha.
Pyetjes nëse vendimi eventual do të ketë efekt retroaktiv, Ministria nuk i është përgjigjur.
Ekonomisti Fidan Qerimi vlerëson se shtesat për lehona nuk duhet të ndahen nga paga minimale, pasi sipas tij ato ofrojnë më shumë siguri për gratë që planifikojnë të rrisin fëmijë në një periudhë inflacioni. Ai thekson edhe ndikimin demografik të kësaj mase.
“Është një inkurajim i lindshmërisë, ndoshta jo në efektin e dëshiruar, por është hap pozitiv për mendimin tim dhe do të duhej që të vazhdohej që të zbatohej kjo pagë minimale për lehonat”, ka thënë Qerimi.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, që nga shtatori i vitit 2021 kur u mor vendimi për shtesat, deri në vitin 2024 numri i lindjeve është rritur mesatarisht për rreth dy mijë fëmijë në vit.
Megjithatë, në vitin 2025 është shënuar rënie prej rreth katër mijë lindjesh krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan mbi 31 mijë lindje.







