Shqetësimet për privatësinë në hapësirat publike po rriten me përhapjen e pajisjeve të veshshme që regjistrojnë video në mënyrë të vazhdueshme. Në këtë kontekst, një aplikacion i ri synon t’u japë përdoruesve më shumë kontroll dhe transparencë për atë që ndodh rreth tyre.
Aplikacioni quhet Nearby Glasses dhe është bërë shpejt popullor mes atyre që ndihen të ekspozuar ndaj teknologjive të reja të mbikëqyrjes. Ai u krijua si reagim ndaj përdorimit në rritje të syzeve inteligjente Meta Ray-Ban dhe dërgon njoftim të menjëhershëm në telefon sapo zbulon praninë e një pajisjeje regjistruese afër. Autori i aplikacionit, Yves Jeanrenaud, e përshkruan këtë si kontributin e tij për të luftuar teknologjitë e përhapura të mbikëqyrjes.
Funksionimi i aplikacionit bazohet në skanimin e sinjalit unik Bluetooth që transmetojnë syzet inteligjente kur janë aktive. Në momentin që një person me një pajisje të tillë hyn në afërsi, përdoruesi merr një njoftim (push notification) që e paralajmëron se mund të jetë duke u regjistruar. Zhvilluesi pranon se sistemi nuk është i përsosur dhe mund të identifikojë gabimisht edhe pajisje të tjera, si për shembull syzet VR, por thekson se është ndër mjetet e para konkrete që u jep qytetarëve një formë mbrojtjeje në hapësira publike.
Debati për këto pajisje është intensifikuar pasi u raportua se Meta planifikon të integrojë teknologjinë e njohjes së fytyrës në modelet e ardhshme. Në të njëjtën kohë, OpenAI thuhet se po zhvillon syze inteligjente të veta, çka mund të shtojë më tej rreziqet për privatësinë në ambiente publike. Nearby Glasses është aktualisht i disponueshëm në Google Play dhe në GitHub, duke u ofruar përdoruesve mundësinë për të rikthyer një pjesë të kontrollit mbi hapësirën e tyre personale.
Ky aplikacion konsiderohet si një formë e vogël, por domethënëse, rezistence ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë që po e normalizojnë regjistrimin pa pëlqim.
Edhe pse prodhuesit pretendojnë se pajisjet e tyre kanë indikatorë që tregojnë kur po regjistrojnë, në praktikë këto sinjale mund të fshihen ose të injorohen lehtësisht. Me përdorimin e këtij aplikacioni, përdoruesit mund të krijojnë një lloj mburoje digjitale kundër kamerave që nuk duken me sy të lirë.








