Objektet më të vjetra që ruhen në fondin e Muzeu Historik i Shkodrës i përkasin periudhës së Neolitit dhe përfaqësojnë gjurmët më të hershme të jetës njerëzore në veri të vendit. Të nxjerra nga nëntoka pas mijëra vitesh, këto artefakte përbëjnë bazën e historisë së dokumentuar që prezantohet në këtë institucion.
“Objektet më të vjetra janë arkeologjiket, periudha më e vjetër e objekteve në muze është e Neolitit, 8000-5000 vjet përpara. Periudhë relativisht e varfër në Shqipërinë veri-perëndimore, ka vetëm 19 objekte dhe asnjë vendbanim deri më sot. Këto janë kryesisht vegla pune: gjilpëra, prerëse, dalta, çekiçë, sëpata”, deklaroi Ndriçim Mlika, specialist i Muzeut Historik.
Sipas tij, periudha e Neolitit në zonën veriperëndimore paraqitet me gjetje të kufizuara, çka e bën këtë fazë historike një segment të rrallë në fondin arkeologjik.
“Neoliti është shumë i rrallë. Ndërsa në lindje të Shqipërisë është shumë i pasur. Aty është zbuluar dhe vendbanimi më i vjetër në Evropë, në brigjet e liqenit të Ohrit”, tha ai.
Fondi arkeologjik konsiderohet një nga pjesët më tërheqëse për vizitorët, duke zgjuar interes të veçantë për periudhat e hershme historike.
“Në përgjithësi janë shumë tërheqëse si objekte që i përkasin antikitetit, periudha arkaike dhe ato që I përkasin periudhës romake. Periudha romake ka objekte që mund t’i gjesh në çdo muze, ndërsa periudha ilire ka specifikat e veta të veçanta”, shtoi Mlika.
Koleksioni arkeologjik i kësaj periudhe mbetet një dëshmi e çmuar e rrënjëve të hershme të qytetërimit, duke e kthyer muzeun në një pikë referimi për historinë më të lashtë të zonës.









