Procesi për zgjedhjen e presidentit të ri po hyn në fazën vendimtare, ndërsa skena politike vazhdon të mbetet pa një koordinim të qartë mes partive. Afati kushtetues po afrohet me shpejtësi, por deri më tani nuk ka nisur asnjë raund formal diskutimesh për emrat që mund të garojnë për postin më të lartë të shtetit.
Edhe pse kanë mbetur vetëm dhjetë ditë nga afati brenda të cilit duhet të zgjidhet presidenti, përfaqësuesit e subjekteve politike nuk kanë zhvilluar bisedime mes tyre për kandidatin. Në Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë dhënë qëndrim lidhur me nisjen e konsultimeve, ndërsa nga një parti opozitare është theksuar se ky është momenti kur opozita duhet të funksionojë si bllok përballë koalicionit qeverisës.
Kryeministri Albin Kurti ende nuk ka hapur diskutimet me partitë politike për çështjen e presidentit, ndonëse më herët kishte paralajmëruar se do ta bënte këtë pas miratimit të buxhetit për vitin 2026. Kuvendi e ka votuar buxhetin një ditë më parë, por në Vetëvendosje nuk kanë treguar se kur pritet të nisin bisedimet për kandidatin. As shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Arbërie Nagavci, nuk ka dhënë përgjigje për këtë çështje.
Bazuar në afatin kushtetues, më së largu deri më 4 mars duhet të zgjidhet kreu i shtetit.
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur synimin për një mandat të dytë, por nuk ka bërë të ditur nëse i ka siguruar votat e nevojshme për rizgjedhje. Në Lidhja Demokratike e Kosovës, partia nga e cila Osmani ka dalë, nuk është dhënë një qëndrim i prerë nëse do ta mbështesin atë.
Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se pozicioni i partisë do të bëhet i qartë vetëm pasi të formalizohen kandidaturat.
“Për aq kohë sa nuk kemi emra konkretë, garë me emra konkretë, ne s’mund të japim qëndrime. Gjithsesi, posti i presidentit është tepër i rëndësishëm për secilën parti politike dhe për ne. Kështu që me përkushtimin më të madh do t’i japim kontributin tonë”, ka thënë ajo, duke përmendur edhe qëndrimet e mëhershme për Osmanin. “Përgjatë viteve të kaluara kemi folur shpeshherë edhe për zonjën Osmani, për rolin e saj. E kemi kritikuar për aq kohë sa kemi menduar që nuk ka qenë gardiane e Kushtetutës ose edhe e klimës në mes të partive politike. Ka qenë e njëanshme”.
Lushaku-Sadriu ka shtuar se deri tani nuk ka pasur iniciativë për diskutime ndërpartiake për kandidatin për president.
“Numrat janë të qartë në Kuvend, secili ka fuqinë e vet parlamentare. Partitë politike brenda parlamentit do të duhet të kenë një diskutim për postin e presidentit. Idealja do të ishte që të gjenim një president konsensual dhe ai të kalonte si rezultat i një marrëveshjeje politike që bëhet mes partive politike. Po, në bazë të fuqisë që kemi brenda parlamentit, ne mirëpresim çdo ftesë për të diskutuar për emra”, ka thënë Lushaku. “Njëkohësisht, normalisht që kemi edhe ne emrat tanë që mendojmë t’i propozojmë si parti politike, por deri atëherë e presim fazën konsultative dhe pastaj të vendosim për emrat konkretë, se çfarë qëndrimi kemi”.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shefi i grupit parlamentar Besnik Tahiri ka bërë të ditur se u ka dërguar ftesa dy partive kryesore opozitare për të diskutuar këtë temë.
Ai ka paralajmëruar se mungesa e unitetit në këtë fazë mund ta fragmentojë opozitën për gjithë mandatin.
“Si bllok opozitar ose do të ndërtohemi në këtë nisje, ose do të jemi të thyer. Është totalisht problematike që po hyjmë në javën e fundit pa një diskutim serioz se çfarë do të bëjmë”, ka thënë Tahiri në emisionin “Interaktiv” në KTV.
Në Partia Demokratike e Kosovës, disa deputetë janë shprehur individualisht kundër rizgjedhjes së Osmanit, duke lënë të hapur mundësinë për mbështetje të një kandidati konsensual.
Vetëvendosja nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin, pasi në dy raundet e para kërkohet kuorum prej së paku 80 deputetësh. Kurti ka deklaruar se është i hapur për bisedime me subjektet e tjera, qoftë për rizgjedhjen e Osmanit, qoftë për një kandidat tjetër konsensual.
Analisti Basri Muja vlerëson se partitë duhet të arrijnë një gjuhë të përbashkët dhe të shmangin vendin nga zgjedhjet e parakohshme.
“Gatishmëria e saj edhe për një mandat është një sinjal i qartë politik, por kjo mbetet një proces që mbi të gjitha varet nga marrëveshja brenda shumicës parlamentare dhe nga mundësia për të siguruar votat e nevojshme. Është e rëndësishme që procesi të përfundojë brenda afateve kushtetuese në mënyrë që të ruhet stabiliteti institucional dhe të shmangen skenarë të panevojshëm zgjedhor, të cilët mendoj unë që ende ka kohë të mënjanohen”, ka thënë Muja.
Këtë javë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se është në pritje të kandidaturave për të thirrur seancën për zgjedhjen e presidentit. Ajo ka theksuar se procedura duhet të përmbyllet deri më 4 mars dhe se pa kandidatë me nënshkrimet e nevojshme mbështetëse nuk mund të veprojë.
“Unë sapo t’i kem nënshkrimet nga kandidatët, sepse ju e dini që duhet të jenë 30 nënshkrime nga dy kandidatë, do ta thërrasim seancën dhe do të procedojmë me të. Para së gjithash duhet të ketë takime me të gjitha partitë politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të adresohen përgjegjësitë”, ka thënë Haxhiu.
Sipas Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Osmani është zgjedhur më 4 prill 2021 dhe ka marrë detyrën një ditë më pas. Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë kreun e shtetit brenda afatit, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.







