Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e saj finlandez, Alexander Stubb, ku në fokus kanë qenë çështjet aktuale politike dhe të sigurisë.
Përmes një postimi publik, Osmani bëri të ditur se gjatë bisedës është diskutuar për zhvillimet më të fundit në vend, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Ajo gjithashtu theksoi se e ka falënderuar presidentin finlandez për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
“Është gjithmonë kënaqësi të bisedoj me mikun e dashur të Kosovës, Presidentin e Finlandës, Alexander Stubb. Diskutuam zhvillimet më të fundit politike dhe të sigurisë, si dhe partneritetin mes dy vendeve tona. E falënderova për mbështetjen e palëkundur të Finlandës për të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar Osmani në X.







